Salih Mustafa deklarohet i pafajshëm: Dikush ia ka shitur shpirtin djallit!

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa sot u deklarua para Dhomave të Specializuara me seli në Hagë rreth akuzave që e ngarkon Prokuroria Speciale.
Ai u deklarua i pafajshëm në katër pikat që u ngarkua. Aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.
Para se të deklarohej i pafajshëm, ish-pjesëtari i UÇK-së, tha se po goditet themeli i lirisë përmes kësaj gjykate, lufta e drejtë e UÇK-së dhe po tentohet të kryqëzohen luftëtarët.
“Dikush për interesa të ulëta po përbuz luftën e drejtë të UÇK-së, themelet e lirisë, qofshin ata individë apo grupe individësh, qofshin vendor a ndërkombëtarë. Po tentojnë t’i kryqëzojnë luftëtarët, për interesa dhe lakmi, ja kanë shitur djallit shpirtin. Për këtë kategori s’po gjej fjalë më hyjnore sesa ajo e Jezu Krishit në momentin e kryqëzimit kur thotë: Fali o Zot se s’po dijnë çfarë po bëjnë”, tha Mustafa, transmeton Indeksonline.
Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor, ndërsa ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në Hagë.