Salih Mustafa paraqitet sot para Dhomave të Specializuara

Sot ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, do të paraqitet para Dhomave të Specializuara, në Hagë.
Lajmi u bë i ditur javën e kaluar përmes një njoftimi nga Dhomat e Specializuara, ku u tha se konferenca për ecurinë e çështjes do të mbahet, më 1 shkurt duke filluar nga ora 11:00.
“Siç është njoftuar në kalendarin tonë të Gjykatës…, konferenca e radhës për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Salih Mustafës, do të mbahet më 1 shkurt në orën 11:00”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se gjatë javës së kaluar, gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou, vendosi që t’ia vazhdonte paraburgimin ish-eprorit të UÇK-së Salih Mustafa, duke konsideruar se nëse ai lirohet ka rrezik të arratiset.
Mustafa kishte paraqitur disa kushte për t’u liruar, por ato për Gjykatën Speciale janë të pamjaftueshme.
Më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u arrestua me një urdhërarrest të lëshuar nga Guillou dhe po mbahet në paraburgimin e Gjykatës Speciale, në Hagë, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.