Sallahu i VV-së: Afër 32 milionë euro kemi paguar për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se është e pavërtetë se janë ndaluar fondet për mbrojtjen financiare të ish- krerëve të UÇK-së.
Ai në një postim ne llogarinë e tij “Facebook” ka thënë se po vazhdon ekzekutimi i pagesave sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
Postimi i tij i plotë:
“Është tërësisht e pavërtetë që Ministria e Drejtësisë i ka ndaluar fondet për mbrojtjen financiare të ish- krerëve të UÇK-së. Ne vazhdojmë t’i ekzekutojmë pagesat sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
Nga viti 2021, kur edhe ka filluar ekzekutimi i pagesave, e deri me 16 maj 2025, kemi ekzekutuar për mbrojtjen financiare të ish krerëve të UÇK-së, 31 milionë e 985 mijë e 214 euro.
Ata që e kanë bërë Gjykatën Speciale, kot mundohen të mashtrojnë me gënjeshtra! Ministria e Drejtësisë do ta adresojë secilën përgjegjësi që ka. Kushëdo që është i/e interesuar të dijë më shumë për shpenzimet, jemi të hapur t’ju ofrojmë qasje.”, ka shkruar në Sallahu.