16:15 / E Mërkurë, 23 Shkurt 2022 / AR

Sallahu: Mbetet sfidë qëndrueshmëria menaxheriale në Shërbimin Korrektues

Në konferencën vjetore të QKRMT-së, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, përgëzoi për punën e kësaj qendre në monitorim të institucioneve korrektese veçmas në adresimin e sfidave dhe problemeve kryesore të ndërlidhura me të drejtat e njeriut në burgjet tona dhe avancimin e kushteve dhe standardeve brenda këtyre institucioneve.

Zëvendësministri Sallahu theksoi se mbetet sfidë qëndrueshmëria menaxheriale në SHKK, një gjendje kjo kryesisht e trashëguar nga e kaluara, por edhe si rezultat i shkeljeve apo parregullsive të evidentuara. Për këtë, Ministria e Drejtësisë do të përkujdeset që në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi të plotësojë vendet e punës në nivelet menaxheriale të SHKK-së dhe të institucioneve korrektuese. “Ne besojmë se pa avancimin e kushteve të punës dhe dinjitetit për personelin e institucioneve korrektuese nuk mund të presim rezultate të mira në trajtimin e personave të dënuar, efikasitet në punë dhe siguri të qëndrueshme të institucioneve korrektuese.

Motivi i punës së stafit korrektues reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në raportet e tyre ndaj personave të dënuar dhe kjo i ndikon të gjitha dinamikat në institucione korrektuese – qofshin ato të sigurisë apo klimës së përgjithshme institucionale”, theksoi Sallahu.

Më tej, Zëvendësministri Sallahu tha se jemi të lumtur që kemi mundur të shtyjmë tutje këto reforma institucionale dhe ligjore dhe presim që me miratimin e shpejtë të pakos ligjore për SHKK këto reforma të jetësohen edhe në praktikë.

Po ashtu, me vëmendje i kemi përcjellë dhe trajtuar edhe rastet e pohimeve për keqtrajtim të personave të dënuar. Në këtë drejtim, më herët Avokati i Popullit ka raportuar për raste të tilla dhe Ministria e Drejtësisë përmes SHKK ka vepruar në drejtim të përçimit të mesazhit për stafin korrektues për ndalimin e keqtrajtimit apo përdorimit të forcës, kur ajo nuk është e nevojshme ose është jo-proporcionale.

Në Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Shërbimit Korrektues një vend të veçantë do të ketë edhe Njësia e Trajnimit përmes së cilës do të organizohen programe të strukturuara dhe qasje gjithëpërfshirëse e stafit korrektues në trajtimin më të mirë në bazë të standardeve dhe praktikave të mirënjohura.

Ministria e Drejtësisë do të investojë më shumë në ngritjen e aftësive profesionale përmes programeve brenda institucioneve korrektuese që mundësojnë angazhim në punë për një numër më të madh të të dënuarve, plotësim të disa nevojave për SHKK sikurse edhe gjenerim të mjeteve për të dënuarit e angazhuar.

Në fund të fjalës së tij, zëvendësministri Sallahu ritheksoi se Ministria e Drejtësisë është e hapur dhe shprehë gatishmërinë për vijimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi në të mirë të avancimit të shërbimeve tona korrektuese.