75 Mall Live Search
23:26 / E Diele, 26 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Sallova: Kot e ka LDK, Gjykata Supreme ka dhënë vendimin e saj

Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e ka pranuar rezultatin e Komisionit Qendror Zgjedhor pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me post, ku fitues ka nxjerr Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes.

Nënkryetari i saj, Lutfi Haziri në një prononcim për  Indeksonline ka thënë se rinumërimi është i vetmi proces që zbardhë rezultatin e Prishtinës dhe se do e shfrytëzojnë çdo udhë ligjore për të çuar në rinumërim kryeqytetin.

“Rinumërimi është i vetmi proces që zbardhë rezultatin e Prishtinës. Do të shfrytëzojmë çdo udhë ligjore për Prishtinën dhe rinumërimin e votimit”, ka thënë Haziri.

Mirëpo, njohësi i çështjeve politike, Donik Sallova thotë se kjo çështje është mbyllur, pasi Gjykata Supreme tashmë ka dhënë fjalën e saj.

Në një prononcim për Indeksonline, Sallova thotë se për këtë arsye, qëndrimi i LDK-së për refuzimin e pranimit të humbjes, bie ndesh me traditën institucionale në të cilën thirren.

“Çështja e numërimit të votave në Prishtinë është e mbyllur. Prandaj quhet Gjykata Supreme, përtej vendimeve të saj nuk ka instance tjetër juridike në Republikën e Kosovës që është kompetente për gjykimin e proceseve zgjedhore. Prandaj, qëndrimi i LDK-së për refuzim të pranimit të humbjes, bie ndesh me traditën institucionale në të cilën thirren”, ka thënë Sallova.

Ndryshe, pas ankesave të bëra nga LDK dhe PDK, PZAP pati vendos që Prishtina dhe Prizreni të shkojë në rinumërim. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi Gjykata Supreme ka hedhur poshtë këtë vendim, pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje./Indeksonline/