Samedin Mehemti: Të ngritët përgjegjësia në menaxhim dhe mbikëqyrje nga eprorët e Policisë së Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti u takua me Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Prishtinës, për të diskutuar rreth punës dhe angazhimeve policore përfshirë integritetin, kodin e etikës, komunikimin, mbikëqyrjen si dhe çasjen ndaj qytetarëve.
Drejtori Mehmeti, në këtë vizitë pune, në të cilin ishin prezent menaxhmenti i Drejtorisë Rajonale Prishtinë, komandantët e stacioneve, epror dhe mbikëqyrës të niveleve të ndryshme, i falënderoi ata për angazhimet, rezultatet e arritura dhe për punën e tyre të deritanishme në këtë situatë sfiduese nga pandemia.
Njëkohësisht Mehmeti kërkoi nga të njëjtit që të ngritët përgjegjësia në menaxhim dhe mbikëqyrje nga eprorët e të gjitha niveleve me qëllim të avancimit të mëtejmë të besueshmërisë dhe imazhit të Policisë së Kosovës, si organizatë profesionale në shërbim të qytetarëve.
“Poashtu të mbikëqyrët puna e zyrtarëve policorë në terren që të kenë komunikim dhe çasje profesionale në të gjitha rastet pavarësisht rrethanat me të cilat përballen, duke treguar përgjegjësi dhe llogaridhënie në interes të shërbimit sa më cilësor ndaj nevojave të qytetarëve”, thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës.
Policia në këtë njoftim ka bërë të ditur se menaxhmenti i Policisë së Kosovës do të mbetet i përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit, andaj me qëllim të një shërbimi sa më efikas, nuk do të tolerohen sjelljet e mundshme jo profesionale dhe tejkalimi i autorizimeve policore.
“Policia e Kosovës njëkohësisht falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e treguar ndaj Policisë, njëherë inkurajon të gjithë qytetarët të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm apo sjellje të mundshme joprofesionale nga ana e zyrtarëve policor”, thuhet ndër të tjera në njoftim.