Samir Karahoda me projektin e ri “Lost Frames” në Festivalin e Kanës

Pas sukseseve ndërkombëtare me filmat “Pa vend” (2021) dhe “Rrugës” (2024), që u përzgjodhën në konkurrencën zyrtare të filmave të shkurtër në Festivalin e Kanës, regjisori kosovar Samir Karahoda nis një kapitull të ri në karrierën e tij – filmin e parë me metrazh të gjatë, “Lost Frames”.
Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se ky projekt, i cili është në fazën e zhvillimit dhe i mbështetur nga QKK, është përzgjedhur të marrë pjesë në Focus COPRO’ 2025, pjesë e programit kreativ Marché du Film në Festivalin prestigjioz të Kanës.
Focus COPRO’, i themeluar në vitin 2018, synon të promovojë regjisorë me potencial të lartë përmes prezantimit të projekteve të tyre para profesionistëve të industrisë globale të filmit. “Lost Frames” është një nga vetëm shtatë projekte ndërkombëtare që do të prezantohen këtë vit, duke e vendosur Karahodën sërish në qendër të vëmendjes së kinemasë botërore.
Përfshirja në këtë platformë pritet të hapë mundësi të reja për realizimin e projektit dhe të shërbejë si një pikënisje e fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm të “Lost Frames”./Indeksonline/