Samiti i Berlinit do ndihmojë në vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, por s’ofron zgjidhje
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj të hënë do të marrin pjesë në Samitin e Berlinit, në mesin e përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor, përcjellë Indeksonline.
Analisti politik Ramush Tahiri, pret që në Samitin e Berlinit të vendoset data e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.
“Propozimi mund të jetë që të vazhdohet dialogu dhe të ketë një datë për dialog por jo për marrëveshje se marrëveshjen e bëjnë vendet por duhet dalluar dialogun teknik në nivel të qeverisë de atë që është politik, që nuk ka filluar ende, që është në mes presidentëve”, tha Tahiri.
Edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, vlerëson që Samiti i Berlinit do i japë shtytje procesit të dialogut.
“Kur jemi te çështja e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mendoj se Samiti do të jetë një shtytje, një energji ere për të zhbllokuar procesin tashmë të bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar por jo për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike por për të përcaktuar konditat dhe konturat për të ecur më tutje”, tha Hoti për rtv21.
Dy njohësit e politikes ndërkombëtare nuk presin që të propozohet një marrëveshje përfundimtare. Sipas tyre, në Samitin e Berlinit duhet të qartësohet rruga e Kosovës dhe Serbisë.
Në anën tjetër, liderët shtetëror kanë deklaruar se kancelares gjermane dhe presidentit francez do i kërkojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. /Indeksonline/