13:34 / E Enjte, 21 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Samiti i liderëve të biznesit, Shqipëria përfaqësohet me presidentin e EUROSIG dhe INSIG (Video)

Në Samitin e Udhëheqësve Botërorë të Biznesit, që po mbahet në Oksford, Shqipëria përfaqësohej nga presidenti i “EUROSIG” dhe “INSIG”, Kadri Morina.

Biznesmeni shqiptar ra në sy për faktin se, në mënyrë të pazakontë në kësi shfaqjesh, prezantimin e tij ia kushtoi jo grupit “EUROSIG”, por promovimit të Shqipërisë dhe potencialeve që ekzistojnë në vend për investimet e huaja dhe bërjen e biznesit.

“Qëllimi im kryesor ishte që në këtë samit të këtij niveli kaq të lartë, unë të prezantoja vendin tim, Shqipërinë dhe të ardhmen e saj, zhvillimin e Shqipërisë dhe turizmin, e t’ua tregoja atyre. Aty kishte shumë njerëz që nuk e njihnin Shqipërinë dhe u duartrokita dy-tri herë. Madje mora shumë komplimente për prezantimin që bëra, që i kushtova më shumë vëmendje vendit tim sesa bizneseve të mia. Ky ishte qëllimi im dhe dëshira e çdo shqiptari, që Shqipërinë ta shohë sa më të bukur, sa më të lumtur e sa më shpejt në Europë”, u shpreh zoti Kadri Morina, pronar i grupit “EUROSIG”.

Morina është i zgjedhur edhe në presidiumin e Samitit të Udhëheqësve Botërorë të Biznesit, ku marrin pjesë elita e biznesit dhe përfaqësues nga bota akademike nga 55 vende të botës.

Në samitin e këtij viti, fokusi ishte vënë te tendencat inovative në biznes dhe arsimim, si dhe menaxhimin, rolet dhe përgjegjësitë e udhëheqësve të biznesit në botën moderne.

Në samitin e udhëheqësve botërorë të biznesit, në Oksford të Anglisë, biznesmeni i njohur shqiptar në fushën e sigurimeve është nderuar edhe me çmimin “Sokrates”, vet si biznesmen, por edhe për grupin “EUROSIG”, për arritje të jashtëzakonshme në fushën e biznesit, dhënë nga drejtori i Përgjithshëm i “Europe Business Assembly”, profesori John Netting.