Samiti i NATO-s në Ankara/ Pritet të marrë pjesë dhe Donald Trump
Turqia pret që presidenti Donald Trump të marrë pjesë në një samit të NATO-s në Ankara muajin e ardhshëm, ku anëtarët e aleancës pritet të përballen me presion të ri për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha për Bloomberg TV se në telefonatat e fundit me presidentin Erdogan, Trumpi kishte dhënë sinjale se planifikon të marrë pjesë në takimin e 7-8 korrikut.
Fidan tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj NATO-s, duke shtuar se nuk ka shenja se Uashingtoni synon të ndërmarrë veprime për t’u tërhequr nga aleanca.
Ai shtoi se aleatët europianë kanë filluar tashmë të rrisin buxhetet e mbrojtjes në përgjigje të presionit amerikan dhe se udhëheqësit do të shqyrtojnë progresin në samit.
Pjesëmarrja e Trumpit në samit do të ishte një urë paqeje në marrëdhënien e tensionuar të Uashingtonit me aleancën në muajt e fundit, për shkak të luftës në Iran.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka akuzuar aleancën se nuk u gjend krah shteteve të Bashkuara në këtë konflikt, në të cilin NATO-ja zgjodhi të mos bëhet palë.
Trumpi dhe zyrtarët e tij më të lartë shkuan aq larg sa të konsideronin një tërheqje nga aleanca, por javët e fundit retorika ka qenë më e qetë.
Shtetet anëtare të Aleancës Veriatlantike janë zotuar tashmë të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të prodhimit të brendshëm bruto, me kërkesë të presidentit amerikan.

