75 Mall Live Search
22:40 / E Mërkurë, 25 Qershor 2025 / S Z

Samiti i NATO-s në Tiranë, Hoxhaj: Shans historik që Kosova të anëtarësohet nën udhëheqjen e Trumpit

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se dialogun Kosovë – Serbi, e shoh si kyç për anëtarësimin e vendit në NATO.

Hoxhaj tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë temë e gjithë klasës politike, teksa shtoi se vendi ka shans historike më 2027, kur Samiti i radhës i NATO-s do të mbahet në Tiranë.

“Unë e shoh si një shans historik, me këtë Amerikë nën udhëheqjen e Trumpit, që është rikthim i lidershipit amerikan, si një Amerikë që iu tregon të tjerëve që janë të pafytyrë në politikë ndërkombëtare, si rusëve, kinezëve, Iranit, ku e kanë vendin në hierarki të botës, e shoh si një mundësi të artë që Kosova të merr anëtarësim të plotë në NATO në vitin 2027”.

“Nëse do të kishte një unitet tonë të brendshëm dhe nëse dialogu do të ishte platforma politike që na sjellë drejt anëtarësimit në NATO. Nëse presidenti amerikan bisedon për Putinin për tema ndërkombëtare dhe amerikanët dhe rusët mund të pajtohen për temën e Kosovës, ne duhet të përfitojmë”, tha Hoxhaj në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, Hoxhaj u shpreh se kjo fazë do të duhej ta gjente Kosovën me institucione, pasi sipas tij, nëse një klasë politike do të arrinte që këtë vëmendje të re amerikane ta shndërronte në kërcim kualitativ, atëherë debati i brendshëm nuk do të ishte relevant në raport me arritjet që do t’i kishte shteti i Kosovës.

“Prandaj, mendoj se kjo fazë do të duhej ta gjente Kosovën me institucione. Dhe nëse një klasë politike do të arrinte që këtë vëmendje të re amerikane, që ta bëjmë një kërcim kualitativ, që ta nënshkruajmë atë kontratën e tretë me Perëndimin. Pas Rambujesë, pas Ahtisaarit, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe një vulë euroatlantike për Kosovën, mendoj që i tërë debati nuk është relevant në raport me arritjet që do t’i kishte shteti i Kosovës”, tha ai.