75 Mall Live Search
10:54 / E Martë, 18 Nëntor 2025 / Z S

Samiti i Zgjerimit të BE-së, i pranishëm edhe Rama

Në Bruksel do të zhvillohet këtë të martë, 18 nëntor, Forumi i Zgjerimit të Bashkimit Evropian 2025, i cili mbahet nën moton “Plotësimi i Unionit, Sigurimi i së Ardhmes Sonë”.

Samiti, i organizuar nga Komisioni Evropian dhe Komisionerja për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, Marta Kos, synon të krijojë një platformë të përhershme dialogu mbi të ardhmen e zgjerimit të BE-së dhe integrimin e vendeve kandidate.

Pjesë e këtij samiti do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, i cili do të mbajë edhe një fjalim lidhur me rolin strategjik të zgjerimit në garantimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit për rajonin dhe vetë unionin evropian.

Pjesëmarrja e kryeministrit Rama vjen në një moment kur Shqipëria hapi një ditë më parë të gjithë grup-kapitujt për procesin e negociatave me synimin për të përmbyllur kapitujt e anëtarësimit brenda vitit 2027.

Forumi do të përqendrohet në katër tema kryesore: domosdoshmërinë gjeopolitike të zgjerimit, rolin e shteteve anëtare dhe rajoneve në proces, perceptimet dhe aspiratat e qytetarëve në vendet kandidate, si dhe hapat politikë dhe institucionalë të nevojshëm për të arritur momentin e shumëpritur – një “PO!” për zgjerimin.

Forumi i Zgjerimit të BE-së 2025 shënon një pikë kthese të rëndësishme për të gjitha vendet e rajonit që synojnë anëtarësimin, ndërsa BE-ja shikon drejt një faze të re zgjerimi me rëndësi strategjike për të ardhmen e kontinentit.

Politika e zgjerimit të BE-së

Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ka ndryshuar në mënyrë thelbësore mjedisin gjeopolitik të BE-së dhe ka shtuar kuptimin se së bashku jemi më të fortë, më konkurrues dhe më të sigurt. Sot, BE-ja po ndjek agjendën më ambicioze të zgjerimit në më shumë se një dekadë, përfshirë negociata aktive anëtarësimi me disa vende në Ballkanin Perëndimor dhe në Fqinjësinë Lindore. Për herë të parë pas një brezi, perspektiva e një Unioni më të madh është brenda mundësive.

Mali i Zi është zotuar të bëhet shteti i 28-të anëtar deri në vitin 2028, ndërsa Shqipëria synon të mbyllë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Të dy vendet po bëjnë përparim të qëndrueshëm në zbatimin e reformave për të përmbushur kriteret e anëtarësimit. Negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë gjithashtu kanë avancuar me ritme të shpejta.

Në të njëjtën kohë, integrimi i gradual i vendeve kandidate, tashmë po sjell përfitime konkrete në fusha si telekomunikacioni (roaming), pagesat, bankat dhe lufta kundër pastrimit të parave (SEPA), doganat, energjia dhe produktet industriale. Përmes Mekanizmit për Ukrainën, Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Planit të Rritjes për Moldavinë, BE-ja po mbështet reformat kyçe dhe po e bën procesin e anëtarësimit më të dukshëm, më të besueshëm dhe më me ndikim për qytetarët, si në vendet e zgjerimit ashtu edhe brenda Unionit./Indeksonline/