22:31 / E Enjte, 06 Tetor 2022 / MSH

Samiti ku po merr pjesë Osmani, Macroni tregon propozimin e formuluar në Parlamentin Evropian

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i cili po ashtu po merr pjesë në Samitin e Pragës ku prezente është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur propozimin që e ka formuluar më 9 maj në Parlamentin Evropian.

Ai tha se “ne jemi aty: lindi një Komunitet Politik Evropian. 44 Kombe Evropiane bëhen bashkë sot në Pragë me një mesazh uniteti”.

Sipas tij, komuniteti i ri politik evropian përbëhet nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, nga vendet kandidate, nga një vend që sapo ka dalë nga Bashkimi, nga vende të tjera që janë fqinjë dhe partnerë tanë.

Pra, në këtë komunitet sipas Macronit, bën pjesë edhe Kosova, e cila aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

“Të gjithë ndajmë të njëjtën hapësirë. Të nxjerrim projekte të përbashkëta, të veprojmë së bashku për paqen dhe sigurinë, për mbrojtjen tonë, por edhe për të vepruar për energjinë, klimën, emigracionin dhe shumë tema të tjera që janë pjesë e përditshmërisë së bashkatdhetarëve tanë, kjo është ajo që jemi. do të bëjmë së bashku, të shkruajmë të ardhmen tonë”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkohë, presidentja e vendit tonë, Vjosa Osmani ka takuar Macronin si dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Shefja e shtetit i ka falënderuar ata për mbështetjen e treguar ndaj Kosovës.