Samiti në Shkup/ Shpresë për ekonominë e Ballkanit Perëndimor

Me shpresën se do të mund të gjejnë rrugën para në drejtim të krijimit të një tregu të përbashkët rajonal si parakusht për afrimin drejt Bashkimit Evropian, liderë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nisur konferencën e përbashkët rajonale që ka të bëjë me planin e rritjes për këtë rajon.
Fondet e premtuara nga Komisioni Evropian janë 6 miliardë euro të cilat do të jepen në formë të granteve dhe kredive të buta për investime kapitale në përafrimin me BE-në. Mirëpo parakusht për përfitimin e këtyre fondeve janë reformat e kërkuara ku në qendër është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal por edhe adresimi i reformave sidomos në fushën e sundimit të ligjit si mënyrë për tërheqjen e investitorëve.
Para nisjes së këtij takimi, liderë të vendeve të Ballkanit por edhe përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së kanë folur për pritjet e tyre nga ky takim, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm në rrugën e përafrimit me Bashkimin Evropian.
Nga 6 vendet pjesëmarrëse, ka qenë kryeministri i Kosovës Albin Kurti ai i cili tha se ka ardhur me listën e reformave të diskutuara derisa ditët në vijim ka paralajmëruar edhe paraqitjen e listës së projekteve indikative.
Kurti ka bërë të ditur se tek pjesa e reformës në qendër është reforma e administratës publike derisa tek pjesa e projekteve agjenda e gjelbër i prin projekteve që do të prezantohen nga Kosova.
“Sasia e mjeteve qe merren varet nga puna e mirë dhe performanca”, theksoi Kurti.
Ndërkohë përfaqësuesi i BE-së në këtë takim, Gert Jan Kopmann, i cili është drejtor i përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian tha se për BE-në është e rëndësishme të shohin se si vendet po punojnë në reforma për të përshpejtuar rritjen dhe të shohim afrimin.
“Sot do të diskutojmë tregun e përbashkët. Jemi te inkurajuar te shohim energjinë e liderëve të Ballkanit”, theksoi ai.
Nga SHBA në këtë takim merr pjesë Xhejms O’Brajan, Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike. Ai tha se në takim me liderët e Ballkanit Perëndimor do të zhvillojnë idetë praktike për të ecur përpara dhe strategjitë.
Ndërkohë edhe përfaqësues të vendeve të tjera të rajonit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Malit të Zi, Milojko Spajiç dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq folën për pritjet e tyre nga ky takim duke u shprehur optimistë për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal./RTK/