75 Mall Live Search
20:25 / E Shtunë, 12 Korrik 2025 / MSH

Samsung i ri do të jetë telefoni më i hollë deri më tani?

Falë raportimeve të reja nga Roland Quandt nga media gjermane WinFuture, janë zbuluar një sërë detajesh dhe specifikash të supozuara për gjeneratën e ardhshme të telefonave të palosshëm të Samsungut.

Sipas materialeve promovuese zyrtare të Samsungut, Quandt raporton se Galaxy Z Fold 7 do të jetë modeli më i hollë ndonjëherë, me trashësi vetëm 8.9 mm kur është i palosur dhe 4.2 mm kur është i hapur.

Gjithashtu, ai pretendon se ky do të jetë edhe modeli më i lehtë Z Fold deri më tani, me peshë vetëm 216 gramë, transmeton Engadget.

Quandt ka zbuluar edhe detaje të tjera për madhësinë e baterisë, opsionet e memories dhe kamerat për modelet Z Flip 7 dhe Flip 7 FE, të cilat përputhen me pritshmëritë aktuale për produktet që Samsung pritet të prezantojë.

Një nga risitë më interesante është ekrani i jashtëm i Flip 7, i cili do të jetë 4.1 inç, një përmirësim domethënës krahasuar me ekranin 3.4 inç të modelit Flip 6. Thuhet gjithashtu se Flip 7 do të jetë 70 për qind më i hollë se paraardhësi i tij dhe, për më tepër, do të ketë bateri më të madhe.

Në informacionet e publikuara nuk kishte asgjë për modelin Galaxy Z Fold Ultra, i cili ishte përmendur nga Samsung në qershor. Në një deklaratë për media, kompania përmendi në mënyrë metaforike integrimin e inteligjencës artificiale në pajisjet Galaxy, duke lënë të kuptohet për një pajisje të re.

Me vetëm pak orë të mbetura deri në ngjarjen zyrtare të prezantimit, do të duhet të presim për të parë nëse këto raportime do të konfirmohen – por gjithsesi, Samsung duket se po përgatit surpriza të mëdha.