Sanimi i dëmeve në Manastirin e Banjskës, Çeku i dërgon letër Dioqezës në Rashkë

Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, i është drejtuar me shkresë zyrtare Dioqezës në Rashkë të Prizrenit për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës në Zveçan, të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator.
Kështu ka bërë të ditur vetë ministri Çeku në llogarinë e tij në Facebook, ku ka publikuar edhe shkresën.
“Zotimin e dhënë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të datës 27 shtator 2023 për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës në Zveçan, të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator, po e konkretizojmë më shkresën zyrtare drejtuar Dioqezës Rashkë – Prizren.
Konform detyrimeve, autorizimeve kushtetuese dhe ligjore ftojmë autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë për bashkërendim të veprimeve deri në ndërhyrjet e nevojshme restauruese për sanimin e dëmeve në këtë aset të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar Çeku.

