11:27 / E Premte, 06 Maj 2022 / B O

Sanksionet e Perëndimit “pa efekt”, Rubla ruse arrin nivelin më të lartë kundrejt euros

Teksa Bashkimi Evropian dhe SHBA po planifikojnë të paraqesin një paketë të 4-t sanksionesh që thuhet se do të dëmtojnë Rusinë, rubla po vazhdon të forcohet kundrejt euros.

Ditën e sotme, monedha ruse arriti nivelin më të lartë në më shumë se dy vjet kundrejt euros, mbështetur nga kontrollet e kapitalit dhe kërkesa e dobët për forex. Ekzekutivi i Bashkimit Evropian propozoi të mërkurën paketën më të ashpër të sanksioneve deri më tani kundër Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë, por shqetësimet e disa vendeve duke mos pranuar embargon ndaj naftës frenuan miratimin e tyre.

Mëngjesin e sotëm në bursë, rubla ishte rritur me 0.8% për t’u tregtuar me 69.57 kundrejt euros, duke rënë më parë në 69.1250, pika e saj më e fortë që nga shkurti 2020.

Rubla ishte 1.1% më e fortë kundrejt dollarit në 66.24, afër nivelit më të lartë të dy viteve prej 65.3125 të enjten, një nivel kulmi që nuk ishte parë që nga fillimi i pandemisë COVID-19.

Rubla është rritur në javët e fundit falë konvertimit të detyrueshëm të valutës së huaj nga kompanitë e fokusuara në eksport. Gjithashtu, ka pasur kërkesë të dobët për dollarë dhe euro në kushtet e rënies së importeve dhe kufizimeve në transaksionet ndërkufitare.

“Rubla do të jetë relativisht e qëndrueshme, apo edhe do të forcohet sërish falë naftës së shtrenjtë dhe kërkesës së ulët për valutë të huaj”, shprehen ekspertët.

Nafta e papërpunuar Brent, një pikë referimi globale për eksportin kryesor të Rusisë, u rrit me 0.8%, duke shkuar në 111.7 dollarë për fuçi.