Sarandë: Plagosën rëndë nënë e bir, arrestohen dy vëllezër

Policia e Sarandës ka vënë në pranga dy vëllezër, të akuzuar si autorë të plagosjes së nënë e bir pasditen e djeshme në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti për parkimin, kur vëllezërit Romeo dhe Fabion Laze, pronarë të një lavazhi, goditën me sende të forta nënë e bir N. A dhe E. A.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17.45 të së dielës, ku në konflikt u përfshinë të paktën 6 persona. Nënë e bir u goditën me grushte, shkopinj e sende të forta, duke marrë plagë të rënda. Ata janë transportuar me autoambulancë drejt Spitalit të Sarandës ku kanë marrë ndihmën e parë.
Të plagosurit kishin marrë goditje të shumta në kokë e trup, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, shkruan euronews.
Policia shoqëroi fillimisht 4 persona, ndërsa pas hetimeve arrestoi në flagrancë dy prej tyre për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim”.
Ata janë Romeo Laze 45 vjeç dhe Fabion Laze 39 vjeç, persona me precedentë të shumtë penalë. Në maj 2011, vëllezërit Laze janë akuzuar për plagosjen me sende të forta të dy vëllezërve Avdiu. Në tetor 2014, Fabion Laze është arrestuar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Në dhjetor 2015, Romeo Laze është arrestuar për “dhunë në familje” dhe “dëmtime të tjera me dashje”. Në gusht 2021 Romeo Laze është arrestuar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Në shkurt 2025, Prokuroria e Sarandës sekuestroi 2 pasuri, 2 automjete dhe 1 biznes të Romeo Lazes. Ndërkohë Fabion Laze rezulton me precedentë penalë në fushën e narkotikëve edhe jashtë shtetit.