Sarkozi reagon për herë të parë pasi doli nga burgu, ish-presidenti: Fundi i historisë mbetet për t’u shkruar
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka falënderuar publikisht të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë periudhës së vështirë në burg me anë të një mesazhi në rrjetet e tij sociale.
“Ndërsa rikthej lirinë dhe familjen time, dua t’u them të gjithëve që më kanë shkruar dhe më kanë mbrojtur, se jam thellësisht mirënjohës. E vërteta do të triumfojë. Ky është një fakt që na e mëson jeta”, shkroi ai në X.
Ai shtoi se tani fokusi i tij tani është përgatitja e apelimit.
“Ligji u zbatua. Tani do të përgatitem për apel. E gjithë energjia ime është e përqendruar në provimin e pafajësisë sime. Mbetet vetëm të shkruhet fundi i kësaj historie”, tha Sarkozy.
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u lirua nga burgu pasi një gjykatë në Paris vendosi që ai mund të lirohet ndërsa ai apelon kundër dënimit të tij për komplot për të mbledhur fonde nga Libia.
Sarkozi u dërgua në burg më 21 tetor pasi u shpall fajtor në shtator për konspiracion kriminal lidhur me përpjekjet e ndihmësve të ngushtë për të siguruar fonde për kandidaturën e tij presidenciale të vitit 2007 nga udhëheqësi i ndjerë libian Muamar Gadafi.

