Sarrazin vizitë në Beograd, takon Vuçiqin

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka takuar sot presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij në Serbi.
Takimi mes tyre ka nisur në orën 9 të mëngjesit në Presidencën e Serbisë.
Siç shkruan kosovo-online, Sarrazin thuhet të ketë deklaruar se Gjermania dëshiron që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të nis përfundimisht, dhe siç theksohet ai ka pohuar se ‘do t’i përcjell Prishtinës se duhet të bëjë më shumë’ në këtë aspekt.
Kjo është vizita e parë zyrtare e të dërguarit gjerman në Serbi, ndërsa fotografitë e këtij takimi i ka publikuar në Instagram vet presidenti serb.
Sarrazin ka thënë të hënën se Gjermania dëshiron të krijojë parakushte për rrugën e Serbisë dhe pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, në mënyrë që të ecin drejt integrimit.
I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, disa javë më parë dha një intervistë për klankosova.tv, në të cilën u shpreh se Kosova në BE, NATO e organizata të tjera, bëhet përmes rrugës së përcaktueshme nga dialogu.