17:41 / E Martë, 24 Maj 2022 / OSH

​SBASHK-u shpreson për marrëveshje me qeverinë brenda dialogut që të shmangen protestat

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës ka dalë me një kumtesë, në të cilën jep detaje për rrjedhën e protestës së 20 majit.

Me këtë veprim, sipas tyre, kanë shënuar pjesëmarrje të madhe të sindikalistëve e veçmas të anëtarësisë së SBASHK-ut, përcjell klankosova.tv.

Mes tjerash, bëhet e ditur se SBASHK, në kuadër të BSPK-së, janë takuar sot me 6 deputetë të Vetëvendosjes, që sipas tyre, janë shprehur se po flasin në emër të gjithë deputetëve të këtij subjekti politik.

”Në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, por edhe në takimin e Kryesisë ekzekutive të BSPK-së është analizuar rrjedha e protestës së 20 majit dhe ishte vlerësim i përbashkët se ky veprim sindikal ka shënuar pjesëmarrje të madhe të sindikalistëve e veçmas të anëtarësisë së SBASHK-ut dhe se ata meritojnë respekt të lartë për qëndrimin e dinjitetshëm gjatë marshimit dhe gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur protesta.

SBASHK shpreh respekt edhe për mirëkuptimin e nxënësve, studentëve dhe të prindërve lidhur me apelin që të premten shkollat e Universitetet të mos punojnë ngase të punësuarit në këto institucione arsimore ishin pjesë e protestës.

Në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve dhe në takimin e Kryesisë ekzekutive të BSPK-së duke debatuar për hapëtat e radhës u vendos unanimisht që të respektohet detyrimi dhe obligimi nga Ligji mbi grevat që para se të shkohet në grevën e përgjithshme të aktivizohet ndërmjetësuesi ligjor për të ndërmjetësuar në nisjen e dialogut mes BSPK-së dhe Qeverisë e me qëllim të arritjes së marrëveshjes së pranueshme për kërkesat e anëtarësisë, marrëveshje kjo që është pastaj obligative.

Në kuadër ndihmesës që çështjet të zgjidhen me dialog kryetari Rrahman Jasharaj bashkë me përfaqësues të tjerë të SBASHK-ut dje janë takuar me zëvendësministrin Dukagjin Pupovci dhe anëtarë të kabinetit të ministres Nagavci për të bashkëbiseduar për angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit dhe gjetjes së mundësive për zgjidhje të kërkesave legjitime të punëtorëve të arsimit pa pasur nevojë për veprime të tjera sindikale. Të dy palët janë pajtuar që ta mbajnë të informuar njëra-tjetrën për çdo angazhime situatë të krijuar.

Po ashtu përfaqësuesit e SBASHK-ut në kuadër të delegacionit të BSPK-së sot janë takuar me 6 deputetë të VV-së, të cilët janë shprehur se po flasin në emër të gjithë deputetëve të këtij subjekti politik.

Përfaqësuesit sindikalë kanë ripërsëritur gjithë shqetësimet dhe kërkesat e anëtarësisë duke u shprehur se deri tani ka munguar gatishmëria e institucioneve për dialog dhe se kjo ka sjellë deri të veprimet sindikale që janë organizuar deri tani. Deputetët kanë dëgjuar me kujdes gjithë diskutimet e përfaqësuesve sindikalë e pastaj janë deklaruar se do të angazhohen që të vazhdojnë takimet e dialogu me deputetët,Komisionet Parlamentare, por edhe me Qeverinë me qëllim që bashkërisht të gjenden zgjidhje të pranueshme të kërkesave legjitime të anëtarësisë e brenda mundësive reale të buxhetit.

Të nderuar anëtarë të SBASHK-ut urojmë që dialogu i nisur të vazhdojë edhe përmes ndërmjetësuesit të licencuar dhe të arrihen marrëveshje të pranueshme. SBASHK-u edhe një herë shpreh respekt të lartë për qëndrimin e dinjitetshëm të pjesëmarrësve në protestën e 20 majit, qëndrim ky që na bën të palëkundur në mbrojtjen e interesit dhe kërkesave të anëtarësisë që nga çerdhet e deri në universitete dhe sektorin e kulturës”.