19:46 / E Premte, 29 Shtator 2023 / Gj. Sh

SC Gjilani: Skifterave i mohohet prezenca në derbin ndaj Dritës

Klubi i Gjilanit ka njoftuar se tifogrupit “Skifterat” i është muhuar prezenca në derbin lokal ndaj Dritës.

Në njoftim thuhet se klubi i Dritës ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës që kjo ndeshje të zhvillohet pa pranin e tifozëve mysafir, që në këtë rast është skuadra e Gjilanit, dhe FFK-ja e ka miratuar këtë kërkesë të skuadrës nikoqire, shkruan IndeksOnline.

Njoftimi i plotë:

“Sport Club Gjilani ka pranuar zyrtarisht komunikimin nga Federata e Futbollit e Kosovës për zhvillimin e ndeshjes së xhiros së tetë në “Albi Mall” Superligë ndaj kundërshtarit FC Drita (Referuar më poshtë si klubi nikoqir).

Lokacioni për zhvillimin e takimit është caktuar stadiumi “Sami Kelmendi” në Lipjan, ndërkohë që me kërkesë të klubit nikoqir është vendosur që në stadium të jetë prezent vetëm një grupim i tifozërisë dhe në këtë rast është ndaluar prezenca e tifozëve në mënyrë të organizuar të cilët do jenë në mbështetje të klubit të Gjilanit.

Ftojmë gjithë mbështetësit e klubit, në veçanti grupimin “Skifterat” të mos veprojnë në afeksion, por të vazhdojnë mbështetjen dhe përkrahjen e ekipit edhe në format tjera, përveç asaj fizike në stadium.

Ne, do të vazhdojmë të mbetemi prapa politikave për afrimin e tifozëve më afër klubit, sepse mbështetja e tyre është e domosdoshme në të gjitha format.”, thuhet në njoftimin e klubit.

Ndeshja mes Dritës dhe Gjilanit luhet ditën e diel në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, më fillim nga ora 15:00./IndeksOnline/