14:30 / E Martë, 07 Shkurt 2023 / AR

S’dihet nëse ka kosovarë të prekur nga tërmeti në Turqi, MPJD pa përgjigje

Mëngjesin e së hënës tërmeti me magnitudë prej 7.8 ballësh ka goditur Turqinë dhe Sirinë. Deri më tani numri i viktimave ka shkuar mbi 5 mijë.

Edhe pas më shumë se një ditë, ende nuk dihet nëse ka kosovarë të prekur nga ky tërmet i fuqishëm.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk ka dalë me asnjë njoftim zyrtar për të informuar mbi gjendjen e kosovarëve që ndodhen në atë zonë.

E njëjta nuk është përgjigjur as pyetjeve që Indeksonline u ka adresuar mëngjesin e sotëm.

Nga Ambasada e Kosovës në Ankara për Indeksonline thanë se kompetente për të dhënë informata është veç MPJD.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara në vazhdimësi po përpiqet të marr informata nga autoritetet vendore në Republikën e Turqisë dhe të përcjell nëse në qytetet e goditura kemi shtetas tanë. Ju lutemi që për çfarëdo informate të drejtoheni në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Divizioni për Komunikim Publik”, thuhet tutje në përgjigje.

Kujtojmë që tashmë kontingjenti i FSK-së ka shkuar në operacionin e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi.

Task-forca e FSK-së përbëhet nga specialistët në kërkim-shpëtim urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9.

Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim do të shtohen kapacitetet reaguese për reagim, kërkim-shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit./Indeksonline/