08:22 / E Shtunë, 19 Dhjetor 2020 / B O

S’e lëjnë lëndimet, mbyllet viti për Ibrahimoviç

Nuk kanë të sosur telashet për Zlatan Ibrahimoviç, që dukej se kishte lënë pas dëmtimin e pësuar në ndeshjen me Napolin muajin e kaluar dhe pritej të rikthehej ndaj Sassuolos, por nuk ka ndodhur kështu.

Sulmuesi 39-vjeçar kreu stërvitjen me grupin te premten pasdite, duke dhënë sinjale rikthimi, por në fund ndjeu shqetësim në pulpën e këmbës së majtë dhe iu drejtua sërish infermierisë për ekzaminimet e radhës.

Mjekët kanë rekomanduar një tjetër pushim 10-ditor dhe vetëm më pas do të rivlerësohet gjendja e suedezit, që tashmë ka mbyllur vitin 2020 dhe do të provojë rikthimin në muajin janar.

Një lajm mjaft i keq për trajnerin Stefano Pioli, që po përballet edhe me mungesën e mbrojtësit Simon Kjaer dhe pas dy barazimeve radhazi, shpresonte që Ibra t’i jepte një dorë në fushë për rikthimin te fitoret. /IndeksOnline/