S’e operon as spitali i Ferizajt as QKUK, djali tregon neglizhencën që iu bë babait të tij

Një pacienti i është rënduar gjendja shëndetësore teksa po qëndronte në Spitalin e Ferizajt.
Sipas djalit të tij, pacienti R.Arifi, i cili ka sëmundjen e diabetit, që 22 ditë është i shtrirë në spitalin e Ferizajt, me këmbë të ënjtur dhe infektuar për shkak të sëmundjes, në pritje dhe në nevojë për intervenim kirurgjik.
I biri, Lirimi thotë se nga spitali i Ferizajt iu është thënë që ndërhyrja duhet bërë në QKUK në Prishtinë.
I njëjti ka deklaruar për Indeksonline se babain e ka sjellë në Emergjencën e QKUK-së, por që i njëjti nuk është pranuar për ndërhyrje për shkak të renovimit të sallave.
“Prindin më thanë me çu në Prishtinë. Atje më thanë që s’ka vend se janë tu i renovu sallat e operimit. E ktheva në Ferizaj e aty më thanë se operimi duhet me u kry veç në Prishtinë. E çova në Prishtinë e prapë na kthynë. Më shkoi dita tu e endë prindin. Prindi e ka gjendjen e rëndë, këmba i është infektu për shkak të sëmundjes, i është ënjtur e po tutemi se mos infeksioni ja infekton edhe gjakun” ka deklaruar ai.
Sipas regjistrave, babai i Lirimit është pranuar sot së pari në QKUK në ora 08:50, për t’u kthyer mbrapa në Ferizaj. Më pas u pranua përsëri në ora 14:35, dhe u lirua nga spitali prapë.
Sipas Lirimit, neglizhenca për trajtimin e të atit e ka lënë atë në mëdyshje të madhe se çfarë duhet të bëjë.
“Tash prindin e kam kthy në spital të Ferizajt. Tan ditën na kanë maltretu. Bile, prindi është i shtrirë në repartin e pediatrisë, se qaty pat vend”, deklaroi ai.
Indeksonline ka kontaktuar Spitalin e Ferizajt dhe Emergjencën e QKUK-së, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur.



