Së shpejti linja e re e transportit publik Prishtinë-Aeroport
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj është takuar sot me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Me këtë rast Lekaj dhe Ahmeti kanë nënshkruar disa marrëveshje, në mesin e tyre edhe linjën e transportit publik nga qendra e Prishtinës për në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.
“Për linjën e autobusit prej Prishtinës deri në Aeroportin e Prishtinës jam i lumtur që sot nënshkruaj këtë memorandum se kjo është linjë apo pronë e Ministrisë së Infrastrukturës, pasi kalon tri komuna deri atje. Por kemi arritur që Ministria bashkë me komunën që përmes trafikut urban të plotësojë këtë shërbim, që pas nënshkrimit do të vendoset një komision për të vendosur edhe orarin edhe çmimet”, ka thënë Ahmeti, shkruan Indeksonline.
Tutje Ahmeti ka thënë se padyshim se do të jetë një çmim më i lirë se që kanë kompanitë e taksive.
“Është pak çudi që deri më sot nuk kemi pasur linjë të tillë për në aeroport dhe njerëzit përdorin vetëm makina private apo shërbime të taksive. Falënderojë ministrinë për këtë marrëveshje për shërbimin e qytetarëve”, ka shtuar Ahmeit.
“Ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe kemi bërë përpjekje në favor të qytetarëve dhe ky nënshkrim i sotëm shkon në favor të tyre. Falënderojë kryetarin e Prishtinës që ka pranuar që ne sot ta firmosim këtë marrëveshje dhe që të kemi një linjë qarkullimi të linjës së autobusëve për aeroportin e Prishtinës. Presim që me kryetarin e Prishtinës të kemi edhe projekte të tjera”, ka përfunduar Lekaj./Indeksonline/