20:10 / E Mërkurë, 22 Dhjetor 2021 / AR

Së shpejti nisin punimet në kompleksin memorial “Adem Jashari”, Çeku thotë se punën do ta vazhdojnë me përkushtim të lartë

Së shpejti nisin ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesat e rrezikuara brenda Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku thotë se përgjatë disa muajve kanë bërë hapa konkretë, raporton Indeksonline.

Ai njofton se punën do ta vazhdojnë me përkushtim të lartë.

“Përgjatë disa muajve kemi bërë hapa konkretë. Kemi vlerësuar gjendjen fizike të ndërtesave brenda kompleksit, tani po nisim ndërhyrjet emergjente me karakter shpëtimi. Kemi identifikuar ekspertët më të mirë të vendit dhe nga jashtë, dje kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve. Kemi nisur vlerësimet e para për çështjet pronësore brenda kompleksit, ndërsa nga fillimi i vitit të ardhshëm fokusi ynë do të jetë projekti i madh, pra hartimi dhe zbatimi i master-planit për kompleksin memorial.

Dje në mbledhjen e tretë të Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, i cili kryesohet nga Kryeministri Albin Kurti, morëm vendime të rëndësishme. Punën tonë do ta vazhdojmë me përkushtim të lartë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet, profesionistët dhe familjen Jashari“, thotë ai./Indeksonline/