Seanca e 28’t, Kurti futet në Kuvend larg syrit të mediave

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të kthehen sërish në sallën plenare të shtunën, një ditë pas festës së Kurban Bajramit, në një tjetër përpjekje për ta konstituuar legjislaturën e re.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u pa duke hyrë në Kuvend nga një derë që rrallë përdoret.
Kujtojmë se asnjë sinjal nuk ka që përsëritja e seancës konstituive në Kuvendin e Kosovës të marrë fund edhe pas gati katër muajve pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Sot do të mbahet e radhës dhe do të jetë hera e 28-të që deputetët e zgjedhur provojnë të konstituojnë legjislaturën e nëntë.
Partia fituese po këmbëngul në kandidaten e saj për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Partitë tjera s’po tërhiqen nga pozicioni i tyre me arsyetimin se ajo s’është “figurë konsensuale”, ndërsa disa prej tyre i kanë thënë Lëvizjes Vetëvendosje se nëse do të ndërronte kandidaten dhe do të propozonte disa emra që për ta janë të pranueshëm, do të mund të dilnin nga ngërçi i ngecur. Megjithatë, Vetëvendosje thotë se e ka të drejtën ekskluzive për të propozuar si parti e parë.