Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga kryeministri Haradinaj mbahet nesër
Kuvendi i Kosovës do ta mbajë nesër në ora 10:00, seancë të jashtëzakonshme. Këtë e ka konfirmuar kryeparlamentar, Kadri Veseli pas përfundimit të Mbledhjes së Kryesisë.
Veseli ka theksuar se seanca do të mbahet me kërkesë të kryeministrit, Ramush Haradinaj dhe se ka të bëjë me një pako të ligjeve që ndërlidhen pikërisht me Agjendën e Reformave Evropiane.
“Prioritet i yni mbetet çështja e liberalizimit të vizave, agjendën tonë për liberalizim të vizave nuk do ta ndalim, pavarësisht zërave që janë shtuar kohën e fundit. Nesër do të udhëtoj drejt Finlandës , kur të kthehem do të kemi edhe një takim në Bruksel dhe në Belgjikë, në mënyrë që të bindim edhe vendet që janë skeptike që liberalizimi është një e drejtë e qytetarëve tanë, pasi që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret që lidhen me liberalizimin e vizave. Presim vendimmarrje pozitive që qytetarët të lëvizin drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Veseli.
I pyetur për skepticizmin e Francës sa i përket liberalizimit të vizave, Veseli ka thënë se Franca ka qenë gjithmonë mbështetëse e fuqishme e Kosovës në të gjitha proceset.
Duke treguar se ka një skepticizëm të saj në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Veseli ka bërë thirrje nga të gjitha shtetet ta përkrahin këtë proces, duke thënë se refugjatë kosovarë ka shumë pak në Francë dhe vendet tjera të BE-së.
“Franca është njëri nga vendet që e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset e saja. Presim një reflektim pozitiv në vendimmarrjen e liberalizimit të vizave. Është e vërtetë, ka një skepticizëm, por Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe qytetarët e Kosovës nuk duhet ta pësojnë, në rastin specifik nga Franca. Refugjatë kosovarë në të gjitha vendet ka shumë pak dhe thjeshtë duhet që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”, ka shtuar ai.
Ndryshe për çështjen e liberalizimit të vizave, kryeministri Haradinaj do të zhvillojë sot edhe një takim me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, Ministrin e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, me fillim nga ora 13:00./Indeksonline/