Seanca e Kuvendit të Kosovës vazhdon nesër
Kuvendi i Kosovës do të mbaj të enjten vazhdimin e një seancë të lënë gjysmë. Sipas njoftimit, seanca do të filloj nga ora 10:00, me pesë pika të rendit të ditës. Ndër to janë dy interpelancat e kryeministrit Ramush Haradinajt.
Një për rritjen e pagave dhe tjetra për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, shkruan Indeksonline.
- Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe GP të Lëvizjes Vetëvendosjes lidhur me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.04/20 të datës 20.12.2017 për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar, Vendimin nr. 05/24 i datës 12 janar 2018, për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe Vendimi nr. 15/24 i datës 12 janar 2018 për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale,
- Debat parlamentar, sipas kërkesës së nënkryetarit të Kuvendit, z. Kujtim Shala dhe gjashtë (6) deputetëve nënshkrues lidhur me Raportin e 100 ditëve të punës të Qeverisë së Republikës të Kosovës,
- Shqyrtimi i propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për ratifikimin e nëntë (9) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë,
- Votimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016.
- Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e dhunshme të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. /Indeksonline/