Seanca në Apel: Shiti armën me të cilën u vra Liridona Ademaj, Tom Dodaj kërkon ulje të dënimit
Sot në Gjykatën e Apelit, është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit Tom Dodaj, i cili akuzohet për shitjen e armës me të cilën u vra Liridon Ademaj, e për të cilin u dënua me pesë vjet burgim.
Dodaj ngarkohet me vepren penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.
Ai e kishte pranuar fajësinë mbi këtë vepër, mirëpo nuk po pajtohet me lartësinë e dënimit.
Lidhur me këtë për Klankosova.tv ka folur avokati Agron Kuçi.
“Ne kemi kërkuar ulje të lartësisë së dënimit. Dënimi prej pesë vitesh është goxha i lartë, marrë parasysh se klienti im, e ka pranuar fajësinë, dhe ka bashkëpunuar edhe me polici e prokurori”, deklaroi ai për Klankosova.tv.
“Mendoj se ai edhe është viktimë në këtë rast dhe se nuk e ka ditur se për çfarë po bëhet fjalë”, deklaroi ai.
“E kemi bo ankimimin dhe tani po presim. Besoj që kjo punë do të shkojë diku nja 2 a 3 muaj do të marrë kohë”, theksoi avokati për Klankosova.tv
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.
Tom Dodaj është dënuar me 5 vjet burgim, nga shkalla e parë në janar të këtij viti.
Por, ankesa u kundërshtua sot nga Leutrim Syla, avokat i palës mbrojtëse i cili ka kërkuar që dënimi të mbetet në fuqi.

