75 Mall Live Search
09:42 / E Mërkurë, 10 Dhjetor 2025 / MSH1

Seanca për dallaveret me rezervat shtetërore, mungon Rozeta Hajdari dhe të akuzuarit tjerë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur sot seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, në lidhje me skandalin e rezervës shtetërore.

Në seancë po mungon e akuzuara Rozeta Hajdari.

Sipas trupit gjykues, ftesa është dërguar përmes postës, por nuk ka konfirmim nga ana e saj se është pranuar, edhe pse gjykata konsideron se procedura është kryer sipas rregullit.

Në sallë është prezent avokati i saj, Florent Latifaj, i cili e përfaqëson ministren në detyrë.

Irfan Lipovica është i pranishëm në seancë.

I akuzuari Hafiz Gara ka munguar fizikisht, por në gjykatë ka prezantuar përfaqësuesja e tij ligjore, Nazim Mehmeti.

Edhe i akuzuari tjetër, Rivdan Muharremi po ashtu mungon.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën më 11 nëntor ndaj Hajdarit, Lipovicës, Garës dhe Muharremit.

Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare”

Ridvan Muharremi akuzohet për “ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”./IndeksOnline/