Seanca për presidentin pa opozitën, Konjufca përballë Kollçakut
Seanca e Kuvendit të Kosovës e thirrur për zgjedhjen e presidentit po vazhdon vetëm me pjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve të koalicionit.
Në sallë aktualisht janë vetëm 66 deputetë, transmeton IndeksOnline.
Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu u ka bërë thirrje deputetëve që të marrin pjesë në seancë, pasi sipas saj është obligim kushtetues, që të marrin pjesë në zgjedhjen e Presidentit.
Partitë opozitare, PDK dhe LDK, janë larguar nga salla e Kuvendit, duke refuzuar të marrin pjesë në vazhdimin e seancës.
Thirrja e kësaj seance u bë e mundur pasi Lëvizja Vetëvendosje propozoi edhe kandidatin e dytë për president. Përveç Glauk Konjufcës, kjo parti propozoi edhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku si kandidate për postin e presidentit.
Me largimin e opozitës nga seanca dhe mungesën e votave të nevojshme, pritet që Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet gjatë mbrëmjes.

