Seancë solemne në Kuvendin e Prishtinës, do t’i jepet mirënjohje edhe familjes Jashari

Me rastin e Epopesë së UÇK-së, po mbahet një seancë solemne në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Me këtë rast, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, do t’i ndajë mirënjohje edhe familjes Jashari.
“Në marsin e vitit 1998, në Prekaz ndodhi një betejë që e ndryshoi përjetë fatin e Kosovës. Epopeja nuk është vetëm një ngjarje e lavdishme, por një testament që ne e gëzojmë sot. Çdo betejë ishte një hap drejt një të ardhmeje të ndritshme. Është detyrë e jona që të punojmë për një shoqëri më të mirë, ku rinia ka shpresë. Le ta tregojmë dashurinë për atdheun ashtu siç e treguan ata,” ka thënë Fehmi Kupina, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Familja Jashari, e njohur për qëndresën heroike në Prekaz, është bërë simbol i rezistencës dhe lirisë së popullit shqiptar. Kjo mirënjohje është një dëshmi e përkushtimit të institucioneve tona për të nderuar dhe kujtuar kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.

