00:01 / E Premte, 19 Gusht 2022 / Gj. Sh

Sedloski: Merituam më shumë, provojmë kualifikimin në Prishtinë

Mjaft i qetë u shfaq pas ndeshjes edhe trajneri i Shkupit, Goce Sedloski, i cili i njohu meritat kundërshtarit, megjithatë theksoi se edhe djemtë e tij kishin bërë mjaft mirë. Tekniku i Shkupit u shpreh optimist se me pak fat, gjithçka mund të përmbyset javën e ardhshme në Prishtinë.

Sa keqardhje keni për këtë humbje me përmbysje?
Jam i kënaqur me atë që dha skuadra, por jo me rezultatin, megjithatë kemi edhe 90 minuta në Prishtinë, ku do të kërkojmë përmbysjen. E nisëm mirë ndeshjen, por pësuam një gol, që duhej ta kishim shmangur, pasi i kisha paralajmëruar djemtë për këto situata. Në pjesën e dytë u mundova të përforcoj mesfushën, por duhet t’i japim meritat edhe Ballkanit, që shfrytëzoi rastet e tij dhe shënoi dy herë. Veçanërisht në 20 minutat e fundit ne krijuam shuam raste dhe duhej të kishim shënuar të paktën edhe një gol, por nuk ia dolëm.

Sa ndikoi cilësia e fushës në rezultat?
Fusha ishte njësoj për të dy ekipet. Tani do të mendojmë për ndeshjen e kthimit, ku nuk kemi çfarë të humbim, ndaj do të kërkojmë të shënojmë e të fitojmë. Shpresoj të kemi edhe fat në finalizim dhe të shkojmë në fazën e grupeve.