13:41 / E Mërkurë, 22 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Sefaj: ARC-ja ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Flamur Sefaj, ka thënë se Agjencia për Regjistrim Civil duhet të luaj rolin kryesor në menaxhimin e identitetit të qytetarëve.

Ai këto komente i bëri me rastin e lansimit të projektit të binjakëzimit të BE-së “Mbështetja e regjistrimit civil dhe siguria e dokumenteve”, i cili synon ngritjen e cilësisë së ARC-së.Me këtë rast u tha se ARC-ja ka shënuar progres të rëndësishëm në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Ministri Sefaj ka mirëpritur fillimin e këtij projekti, pasi do të mundësojë arritjen e objektivave të ARC-së. Shefja e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, theksoi se Bashkimi Evropian ka bërë financimin e ARC-së prej themelimit të saj. Derisa, projekti binjakëzimit që po fillon tani, e i cili financohet nga BE, Apostolova tha se do të ndihmojë në kalimin e sfidave që ka ARC-ja përpara.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerry Willems, u shpreh se projekti do të ndihmoj edhe në procesin e integrimit evropian.
Ndërsa, drejtori i ARC-së, Bekim Hoxha, ka vlerësuar lartë lansimin e këtij projekti, duke theksuar se zyrat komuna të gjendjes civile kanë nevojë për përkrahje, prandaj ky projekt do të ndihmoj ato.

Ndryshe, të dhënat e ARC-së i shfrytëzojnë mbi 50 institucione të Kosovës. Projekti është i financuar nga BE-ja dhe do të zgjasë dy vite.