Segmenti i mbyllur në autostradën “Ibrahim Rugova”, kur do të lirohet për qarkullim rruga?

Dje pasdite ka ndodhur një rrëshqitje e dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në kilometrin e 26-të në mes të Suharekës dhe Prizrenit.
Për shkaqe sigurie dhe rrezikshmërisë së lartë në këtë segment, autoritetet janë detyruar mbrëmë që ta mbyllin përkohësisht qarkullimin rrugor në segmentin nga Suhareka deri në Prizren, ndërsa rruga nga Prizreni në drejtim të Prishtinës është e lirë për qarkullim.
Ndonëse mbrëmë zyrtarët nga Ministria e Infrastrukturës deklaruan se ky segment do të lirohet të mërkurën, deri më tani nuk ka asnjë informacion që rruga është hapur.
IndeksOnline ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës në lidhje me këtë bllokim të rrugës, mirëpo të njëjtit ndonëse kanë kërkuar që pyetjet të dërgohen përmes postës elektronike, ata ende nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe sot gatë gjithë ditës është parë makineria e rëndë duke punuar në largimin e dheut.
Ndërsa nga Policia e Kosovës kanë thënë për IndeksOnline se zyrtarët policor janë duke bërë sigurimin e vendit dhe pjesëmarrësit në trafik janë njoftuar me kohë për bllokim të rrugës.
Qytetarët aktualisht janë duke e shfrytëzuar rrugën nacionale N25./IndeksOnline/