Sejdiu: Bordi është i detyruar të më kthejë në pozitën e Drejtorit të SHSKUK-së

Basri Sejdiu, ish drejtor i Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës (SHSKUK)-së, i cili u shkarkua nga Bordi në pikun e pandemisë, ka thënë se Inspektorati i Punës e ka urdhëruar Bordin që ta kthejë atë në vendin e punës.
“Inspektorati me dy vendime, të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë, e detyron bordin që të më kthejë në punë pasi që konstaton shkeljen e tri ligjeve që Bordi i ka bërë. Me këtë vendim të shkallës së dytë e detyron Bordin të zbatojë vendimin dhe kthimin tim në punë. Është afat tetë ditësh që duhet ta bëjë këtë dhe nëse nuk zbatohet, atëherë ka masa tjera”, ka thënë Sejdiu në emisionin “Imazh” të RTK-së.
Ai ka thënë se Bordi në mënyrë të jashtëligjshme e ka shkarkuar, duke shtuar se pikat e përmendura në arsyetimin e shkarkimit nuk qëndrojnë.
“Ato pika nuk qëndrojnë, duke u nisur nga performanca ime. Të gjithë e dinë që kemi bërë shumë kthesa pozitive. Kjo dëshmohet edhe më faktin se të gjitha shërbimet janë avancuar. Këto projekte që janë realizuar nuk janë as në rajon. Edhe auditori i brendshëm e ka nxjerr pozitive performancën time”, ka thënë tutje ai.
Ai është shprehur i bindur se do të kthehet në krye të SHKUK-së. “Jam i gatshëm të vazhdojë sërish në interes të institucionit dhe pacientëve, sepse ne e kemi kthyer shpresën te pacientët, pasi që ata tash marrin trajtim të duhur, e jo të bredhin nëpër spitale private”.
“Bordi është përgjegjës për shkarkimin tim, por edhe përgjegjës që nuk e zbaton vendimin e inspektoratit. S’mund ta kuptojë se pse kryetari i bordit nuk e zbaton vendimin”.
Duke folur në kohën sa ishte drejtor, Sejdiu tha se Bordi nuk ka qenë përkrahës i punës së tij.
“Nuk ka qenë përkrahës, por me ka penguar. Është marrë me raporte të auditimit në kohën kur kisha më së shumti nevojë. Dhe një Bord i tillë mund të jetë edhe i dëmshëm. Shkarkimi ka ndodhur në kohë pandemie dhe kur jemi përballur shumë mirë më të”, ka thënë Sejdiu.