21:23 / E Martë, 21 Dhjetor 2021 / k.v

Sejdiu: Kemi qasje të gabuar në tërheqjen e investitorëve të huaj

Njohësi i ekonomisë Dardan Sejdiu tha se vendi ka një qasje të gabuar në tërheqjen e investitorëve të huaj.

Ai, në Rubikon të Klan Kosovës, tha se institucionet e vendit duhet të kenë një strategji përtej kërkesave procedurale dhe administrative.

“Diskutimi është ky – raporti tregtar mbetet i njëjtë dhe është negativ, orientimi si me i thithë investimet e huaja në Kosovë është ende i paqartë, çka kemi me thirre në Kosovë është ende e paqartë. Për një vit, po e saktë, nuk zgjidhet diçka që ka ndodhur keq për 20 vjet, por gjatë këtij emisioni diskutuam për disa storie suksesi që kanë ndodhur para një viti, pra bota nuk është e zezë as nuk është e bardhë, çka është e saktë këtu është që taksat në Kosovë dhe kontributet janë më të ulëtat në rajon, Kosova është treg i vogël dhe në botë po ndodh diçka, ku e kemi ne vendin? Kjo është puna që duhet ta bëjë qeveria dhe një agjenci në kuadër të qeverisë dhe ky është diskutimi që nuk bëhet. Unë kam qenë në qeverisje dhe e di çfarë do të thotë një ‘tick in the box’ kur thua ligji thotë, ja ku e ke dokumentin, i ke 30 ditë për diskutim publik dhe u përmbush.”

“Duhet të tejkalohen këto kërkesa procedurale. Unë e kuptoj që ligji është mënyrë e mirë për t’u siguruar që po merren informatat, por jemi duke folur për një qeveri me legjitimitet të plotë, e cila mund të ketë një orientim transformativ sa i përket mënyrës se si flasim për investime të huaja dhe zhvillim të vendit dhe kjo duhet bërë në deliberim pak më shumë se formal, në diskutim pak më të gjerë se formal dhe e fundit, tepër me rëndësi, është proces, i cili nuk qëndron në mbrojtje, sepse kjo është sfida kryesore e 23 vjetëve të fundit, secila qeveri ka marrë pozicion mbrojtës karshi biznesit dhe e kemi ndërtuar një ide për biznesin si diçka shpeshherë edhe kriminale, qeveri e cila frikësohet të komunikojë me bizneset. Nëse dikush bën eksport prej 100 milionë eurosh në vjet, në eksport total prej 700 milionë eurove në vjet, ai dikush është i rëndësishëm, deshëm ne apo s’deshëm.”

“Ky është lloji i diskutimit që e pres prej Qeverisë Kurti, sepse e di çfarë shkruan në program dhe si mendohet zhvillimi ekonomik në atë program, për këtë arsye pres që diskutimi për zhvillimin të mos jetë i mbuluar me petkun administrativ të domosdoshëm dhe diskutimit publik të mbuluar me ligj. 23 vjet më vonë këtë lloj qasje e kemi pasur dhe ka qenë gabim, nuk kemi tërhequr investime të huaja për shkak të qasjes së gabuar”.

Ky emision është përkrahur nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Fondacioni Konrad Adenauer.