Sejdiu për vdekjen e Kaidanow-it: La gjurmë të pashlyeshme si diplomate

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka reaguar për vdekjen e ambasadores së parë të SHBA-së në Kosovë Tina Kaidanow ka lavdëruar punën e saj gjatë misionit dipolomatik në Kosovë.
Postimi i plotë:
Lajmin për vdekjen e ambasadores së parë të SHBA-së në Kosovë, korrik 2006-prill 2008 dhe ambasadore prill 2008-korrik 2009, e mora me pikëllim të thellë.
Me dijen, përvojën dhe shkathtësinë që e kishte ajo la gjurmë të pashlyeshme si diplomate jashtëzakonisht e përkushtuar në misionin e saj.
Erdhi më parë si udhëheqëse e Zyrës së SHBA-së në Kosovë në kohët më të ndjeshme që kishim, kur kishim të bëjmë me procesin e bisedimeve për statusin politik të Kosovës.
Zonja ambasadore ishte plot energji dhe maksimalisht e fokusuar gjatë mandatit të saj, duke e ndihmuar dhe përkrahur Kosovën për të arritur qëllimin madhor, pra pavarësinë. Ishte thjeshtë, e qartë dhe e drejtpërdrejtë në komunikime publike.
Kisha raporte jashtëzakonisht të mira. Në veprimtaritë e saj të përgjithshme të atyre viteve, nuk mund të gjej asnjë detaj që ajo tregoi shenja lodhjeje.
Natyrisht se ishte e përzgjedhura e presidentit Bush dhe e sekretares së shtetit Condoleezza Rice që Kaidanow të ishte ambasadorja e parë e SHBA-ve në Kosovë.
Shoqëria e Kosovës dhe shteti ynë ishin me shumë fat që ajo gjendej në vendin e duhur në kohën e duhur.
Me këtë rast, shpreh ngushëllimet e mia dhe gjithë qytetarëve të Kosovës që e bashkë ndjejnë këtë dhimbje, për familjen, miqtë e saj në punët e saj për të mirën e lirisë dhe të demokracisë globale.
Në nderim të ambasadores Kaidanow, po bashkëngjes një fragment nga libri im “Ora e Kosovës – pavarësia dhe shtetndërtimi”, botuar këtë vit, për ato kohë tepër dinamike dhe të paharrueshme që i përjetonim në shtetin tonë.
“Lajmin e parë se ishte e propozuar për ambasadore e SHBA-së në Kosovë, qe dita kur diskutonim për Deklaratën e Pavarësisë, takim në të cilin ishte edhe zëvendësndihmësja e sekretares së Shtetit, Rosemarie DiCarlo dhe personalitete të rëndësishme nga SHBA-ja.
Ishte shumë e ngazëllyer ngase gradohej për së pari në rangun e ambasadores fuqiplotë, pra ishte rangu më i lartë diplomatik dhe se caktohej në vendin që do të jetë shteti më i ri në Evropë.
Letrat e akreditimit të saj ecën kanaleve diplomatike dhe Kosova dha pëlqimin e saj.E pazakonshmja në këtë proces, por jashtëzakonisht simpatike që ngjarja kur ne ndodheshim në SHBA për vizitë shtetërore, ku ishte organizuar edhe takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin George W. Bush.
Pas takimit me sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice, ajo na ftoi në ceremoninë e emërimit të zonjës Kaidanow për ambasadore fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës. Kjo nuk ishte praktikë e zakonshme.
Por, ja se ishte një ngjarje shumë domethënëse diplomatike.Në atë takim të përbërë prej diplomatësh dhe familjarësh, takova edhe prindërit e saj. Më la përshtypje kureshtja e tyre për Kosovën.
Angazhimi i Tina Kaidanowit ka qenë i veçantë. Në atë kuadër dallohet përkushtimi i saj për të ndihmuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e vendit si shtet i pavarur dhe sovran.
Njihte shumë personalitete në Kosovës, qofshin ata nga jeta publike, përkatësisht politike, qofshin nga veprimtari të tjera. Për kontributin saj të jashtëzakonshëm, pak pa u larguar nga Misioni në Kosovë, korrikun e vitit 2009, ambasadoren Kaidanow e dekorova me “Medaljen për Shërbim Civil në Kosovë”. Tina është pjesë e historisë më të re të Kosovës.I falem me respekt përkujtimit të saj jetësor!