75 Mall Live Search
11:09 / E Premte, 05 Shkurt 2021 / OSH

Sejdiu: Përveç Aleancës, partitë e tjera kanë broshura jo programe

Mbrëmë në emisionin “Rubikon” ka qenë i ftuar kandidati për president të Kosovës Ramush Haradinaj si edhe kandidatët për deputetë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, Ermira Vllasaliu- Ratkoceri dhe Fatmir Gashi. Ata diskutuan gjër e gjatë për plan programin e AAK-së si edhe prioritet e tyre si parti.

Programin e AAK-së e vlerësoi lart eksperti i ekonomisë Dardan Sejdiu, ku tha prej programeve që i kemi pa deri tashti është se partitë e tjera kanë broshura e jo programe.

“Prej programeve që i kemi parë deri tashti më i përpiluar thelbësisht është ai i AAK-së. Nuk po i qesim në anë të barabartë programet, nëse e shohim programin e LDK-së, çka na ka prezantuar në studio, mund të themi se ka qenë një broshurë e jo program. Kurse, sot çka shoh te pjesa e ekonomisë, te kapitulli i dytë, ndihma për qytetarët, subvencionimi për çerdhet, ndihma për gratë të cilat e kanë humbur vendin e punë, pra shoh elemente të cilat as që i kishte prekur LDK-ja”, ka thënë Sejdiu.

“Kam thënë edhe me konkurrentët tuaj, në emisionet e kaluara se unë e vlerësoj kur një subjekt politik prezanton program politik në përbërje serioze. Pra, kur e merr prezantimin e programit si një diçka që që është me vlerë dhe për këtë vlerë vjen një ish-kryeministër lider partie dhe vjen me tre persona që janë kandidatë për deputetë ku secili kanë vlerë për fushat e tyre si dhe përvoja. Për mendimin tem kjo është për t’u vlerësuar. Pra, po e them edhe një herë, që shpresoj që të gjitha subjektet politike ta bëjnë të njëjtën gjë”, shtoi Sejdiu. Ai po ashtu tha se programi i AAK-së është i elaboruar mirë, pasi që sipas tij nëse një program publik, nuk i ka përgjigjet për pyetjet, si, kur edhe sa, nuk është i rëndësishëm, e që në këtë rast programi në fjalë e ka një përbërje të tillë.

“Sa i përket pjesës së ekonomisë e shoh që ky program është i elaboruar, ku e ka edhe pjesë si , kur dhe sa, që për mua janë të rëndësishme. Kështu që një program që ka në vete politika publike dhe nuk u përgjigjet këtyre tri pyetjeve është ose i mangët ose është vështirë me lyp llogari. Ndërsa, programi i Aleancës…, kështu siç është paraqitur mua më lë përshtypje, sepse ka një analizë të situatës ku politikisht është korrekte”, ka thënë Sejdiu. Ndër të tjera Sejdiu tha se Haradinaj ishte i pari që i hyri garës për president, ku i shtyu edhe Lëvizjen Vetëvendosje që ta paraqesë një kandidat për president.