19:28 / E Mërkurë, 21 Dhjetor 2022 / Gj. Sh

Sekretari i Ministrisë së Kulturës thyen heshtjen për licencimin e FFK-së, parasheh një debat të madh

Ushtruesi i detyrës së sekretarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi ka thyer heshtjen për licencimin e Federatës së Futbollit të Kosovës nga ky dikaster.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka parashikuar një debat të madh mbi këtë çështje.

Madje, Bislimi ka shpjeguar se çfarë do të thotë fjala ‘licencë’, duke iu kundërpërgjigjur ‘kërcënimit’ të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, i cili sot tha se nuk ka njeri që mund ta ndalojë licencimin e kësaj federate.

“Meqë këto ditë do të flasim shumë për licencën, atëherë përkufizimi i mëposhtëm do të ndihmojë për të saktësuar më mirë se për çfarë po flasim. Çka është licenca?”.

Sipas tij, licenca është një leje që bën të mundur kryerjen e çdo veprimi a veprimtarie, që në mungesë të saj, do të ishte i/e ndaluar.

“Licencë do të thotë një instrument ligjor zyrtar me shkrim i nxjerë nga një autoritet publik sipas ligjit, i cili, autorizon mbajtësin që prej kohës së lëshimit të angazhohet në një lloj të veçantë aktiviteti komunitar, biznesor apo të interesit tjetër publik, në pajtim me kushtet e saktësuara në licencë dhe në legjislacionin që përcakton kushtet për dhënien apo mbajtjen e licencës”, shkroi ai.

“Licencë rrjedh nga fjala latine “licensia” që do të thotë “e drejtë për diçka”. Me fjalë tjera, licenca (edhe: leja) është një e drejtë për kryerjen e një veprimtarie të para përcaktuar, kryesisht të lejuar nga organet qeveritare përkatëse”, përfundoi Bislimi.

Përveç Bislimit, një reagim e ka bërë edhe i pari i FFK-së.

Agim Ademi, i ka quajtur të pavërteta lajmet se FFK-ja nuk është licencuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Unë sot ju them këtu opinionit të futbollit dhe klubeve që mos të kenë merakun se nuk ka njeri në botë që mund ta ndalojë licencimin e federatës. Kjo për faktin se ne jemi shumë të drejt dhe i kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme”, tha Ademi në Klan Kosova.