Sekretari i OKB-së i shokuar, zbulohen së paku tetë varreza masive

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, është shprehur i shokuar, për arsye të zbulimit të varrezave masive në territorin e Libisë që së voni u rimor nga kontrolli i forcave të komanduara nga gjenerali Khalifta Haftar. Ai bëri thirrje për hetime transparente për këtë rast.
Guterres po ashtu i bëri thirrje qeverisë libiane të përkrahur nga OKB-ja që t’i sigurojë varrezat masive, të i identifikojë viktimat, t’i zbulojë shkaktarët e vdekjes dhe t’ua kthejë trupat familjarëve. Zëdhënësi i tij e bëri të ditur se sekretari ka ofruar përkrahjen e Kombeve të Bashkuara për marrjen e këtyre masave.
“Sekretari i përgjithshëm edhe një herë ua rikujton të gjitha palëve të konfliktit në Libi obligimet e tyre sipas ligjit humanitar ndërkombëtar dhe ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”, tha zëdhënësi i Guterres-it, shkruan “The Guardian”.
Të premten Kombet e Bashkuara njoftuan se së paku tetë varreza janë zbuluar në Libi, shumica e këtyre varrezave janë në qytezën Tarhuna, që kishte shërbyer si bastion i forcave të Haftarit gjatë fushatës 14-mujore për marrjen nën kontroll të kryeqytetit Tripoli.
Gjetjet kanë ngjallur frikë për nivelin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në territoret e kontrolluara nga forcat e gjeneralit Haftar, duke i marrë parasysh dhe vështirësitë e dokumentimit të rasteve në një zonë aktive të luftës.