Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u bën thirrje evropianëve të rrisin prodhimin e armëve
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, në një intervistë të botuar në shtypin gjerman, u bëri thirrje evropianëve të rrisin prodhimin e tyre të armëve për të rritur dërgesat në Ukrainë dhe për të parandaluar një konfrontim me Moskën “që mund të zgjasë për dekada”.
Me më pak se një javë para takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel më 15 dhe 16 shkurt, Jens Stoltenberg tha: Ne duhet të rindërtojmë dhe zhvillojmë bazën tonë industriale më shpejt për të rritur dërgesat në Ukrainë dhe për të riorganizuar stoqet tona”
“Kjo do të thotë se ne duhet të kalojmë nga prodhimi i ngadaltë në kohë paqeje në prodhim të shpejtë në kohë konflikti”, tha Stoltenberg për gazetën gjermane Welt am Sonntag.
“Nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për një aleat (NATO). Në të njëjtën kohë, Kremlini bën rregullisht kërcënime kundër vendeve të NATO-s”, tha Stoltenberg.
Duke theksuar se pushtimi rus i Ukrainës gati dy vjet më parë tregoi se paqja në Evropë nuk është e dhënë, ai këmbënguli në rëndësinë e mbrojtjes së vendeve të aleancës.
“Për sa kohë që investojmë në sigurinë tonë dhe mbetemi të bashkuar, do të vazhdojmë të parandalojmë çdo sulm”, tha ai.
“NATO nuk po kërkon luftë me Rusinë, por ne duhet të përgatitemi për një konfrontim që mund të zgjasë dekada,” tha ai.