Sekreti i kolegjeve private dhe heshtja e Ministrisë së Arsimit
Urdhri i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të Këshillit Shtetëror në Agjencinë Kosovare të Akreditimit, u përcoll me shumë dyshime e kritika jo vetëm nga të atakuarit, por edhe nga njohës të zhvillimeve në arsimin kosovar.
Pas ekzekutimit të atij urdhri nga ana e Ministrisë së Arsimit, ish-anëtarët e bordit të AKA-së, vendosen të mos heshtin.
Duke e cilësuar veprimin e kryeministrit si ofendim ndaj tyre, ata treguan se çka po bëhej nëpër kolegje private, shkruan AktivPress.
Ish-anëtari i këtij bordi, Lul Raka në letrën e tij publike për Haradinajn, ia renditi kërkesat e kolegjeve private në Kosovë për rritjen e numrit të studentëve në fushën e mjekësisë.
Raka ka shkruar se ai ishte kundër rritjes së numrit të studentëve dhe se disa herë kishte votuar kundër këtyre kërkesave nga institucionet e arsimit të lartë privat.
“Kam qenë kategorikisht dhe jam ende kundër hapjes së drejtimeve të mjekësisë së përgjithshme në cilindo institucion privat të arsimit të lartë të Kosovës. Rezonanca dhe UBT kanë aplikuar, por akreditimi i tyre është refuzuar nga Agjencia (me sugjerimin tim). Kam qenë edhe kundër hapjes së drejtimeve të Stomatologjisë e Farmacisë, por votova ‘pro’, për shkak të numrit të kufizuar të studentëve të regjistruar”, thotë Raka në letrën e tij publike.
Raka ka shtuar se edhe së fundi, pak para shkarkimit të bordit, kolegjet private sipas tij kërkuan rritjen e menjëhershme të numrit të studentëve.
Ai në letër ndër të tjerash ka shtuar se nuk ka pranuar që “arsimi i lartë në shëndetësi të duket si një biznes qebaptoresh”.
“Kolegji AAB, kërkoi që në vend të 25 studentëve në Stomatologji t’i regjistrojë 120 sosh. Kurse, në Radiologji në vend të 30 studentëve t’i regjistrojë 120. Kolegji UBT kërkoi që në vend të kuotave të votuara në Farmaci prej 20 studentësh ta rrisë numrin në 50; në Stomatologji në vend të 20 studentëve në 50 dhe infermieri në vend të 50 studentëve të regjistrojë 300 studentë. Kam votuar kundër rritjes edhe për një student të vetëm. Kolegji AAB vetëm në infermieri për një vit ka regjistruar mbi një mijë studentë! Rregullsi se jo mahi”, ka shkruar ndër të tjerash ish-anëtari i bordit të AKA-s.
Gazeta online “AktivPress” ka provuar të marrë përgjigje nga dy kolegjet private në Kosovë, AAB dhe UBT për numrin e studentëve që kanë pranuar për vitin e parë të studimeve bachelor në drejtimet e fushës së mjekësisë, por që asnjëri institucion nuk ka dashur të tregojë se sa studentë ka pranuar këtë vit.
Njësoj ka vepruar edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke mos kthyer përgjigje, kur është pyetur se a janë në dijeni për numrin e studentëve që kanë pranuar kolegjet private për vitin e ri akademik në drejtimet e mjekësisë, si farmaci dhe stomatologji.
Duke mbrojtur punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, pati reaguar edhe ish-kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Blerim Rexha, i cili po ashtu i ka dërguar letër të hapur kryeministrit Ramush Haradinaj.
Rexha, vendimin e Haradinajt për shkarkimin e bordit të AKA-s e ka quajtur politik, duke shtuar se kupton se shkarkimi i tyre po bëhet për arsye fushate.
Ai ka kritikuar Haradinajn për mos-vizitë në këtë institucion.
Rexha i ka përmendur kryeministrit disa nga vendimet që i kanë marrë, sipas tij në dobi të arsimit të lartë në Kosovë.
“Ndaluam punën e mbi 60 profesorëve nga rajoni (Maqedonia, Shqipëria, dhe vendet tjera) vetëm për letra në institucionet tona të arsimit të lartë. Këta 60 “profesorë” kanë ofruar deklarime të rreme në Agjenci për qëllime të akreditimit, madje disa prej tyre as nuk ishin në dijeni që emri i tyre përdorej nga institucionet e arsimit në Kosovë, e disa nuk kanë qenë asnjëherë në Kosovë”, ka shkruar ndër tjera Rexha.
Me gjithë pakënaqësitë lidhur me vendimin, kryeministri Ramush Haradinaj javën e kaluar në seancën e Kuvendit e kishte “arsyetuar vendimin e tij.
“Gjendja në arsimin e lartë sot në vend është shqetësuese. Bordi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim u shkarkua në bazë ligjore. Aty ka pas shkelje dhe këtë e bëjmë për një nisje të re”, ka deklaruar Haradinaj.
Sa ishte në detyrë bordi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit, kishte marrë një sërë vendimesh për kufizimin e numrit të studentëve dhe mosakreditimin e disa programeve studimore në institucione publike dhe private të arsimit të lartë në Kosovë./AktivPress/Emirjeta Vllahiu