75 Mall Live Search
16:57 / E Enjte, 17 Korrik 2025 / H F

Seksualiteti në kohën moderne, mes heshtjes kulturore dhe nevojës për edukim të mirëfilltë

Shkruan: Prof. Dr. Dr. Halil Krasniqi- ekspert i shëndetësisë

Në vitet e fundit, shoqëritë shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri kanë përjetuar ndryshime të mëdha shoqërore, kulturore dhe teknologjike. Megjithatë, një fushë mbetet ende në hije, një temë që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien fizike, psikologjike dhe sociale të çdo individi, seksualiteti.

Seksualiteti nuk është vetëm akti seksual, por një përbërës thelbësor i identitetit tonë, i lidhur ngushtë me ndjenjat, emocionet, trupin, mendjen dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore. Në vend që të trajtohet si një aspekt natyror i jetës njerëzore, ai shpesh shoqërohet me ndalim, turp, keqkuptime dhe tabu, sidomos në kulturën tonë tradicionale.

Edukimi seksual, një domosdoshmëri shëndetësore, jo një luks

Të rinjtë tanë rriten sot në një botë ku informacioni është i pakufizuar, por jo gjithmonë i saktë. Mungesa e edukimit seksual në shkolla, mungesa e komunikimit të hapur në familje dhe stigmatizimi shoqëror i çdo diskutimi rreth seksualitetit krijojnë një boshllëk të rrezikshëm. Në këtë boshllëk hyjnë mitet, pornografia, ndjeshmëria e lartë ndaj presionit të moshatarëve dhe shpesh, pasiguria për vetveten.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për edukim seksual gjithëpërfshirës, i cili nuk ka për qëllim të promovojë seksualitetin, por të përgatisë individë të ndërgjegjshëm, të shëndetshëm dhe të respektueshëm. Edukimi i mirëfilltë i ndihmon të rinjtë të njohin trupin e tyre, të kuptojnë emocionet dhe ndjenjat, të ndërtojnë marrëdhënie të sigurta dhe të shmangin rreziqet si shtatzënitë e padëshiruara apo sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Kjo mungesë edukimi lë vend pra për abuzime, ngatërrime identiteti,  dhe ndonjëherë, pasoja psikologjike të rënda që prekin zhvillimin dhe mirëqenien e individit.

Shoqëri që hesht është pasoja që zgjasin gjithë jetën

Si terapist seksual, shpesh përballem me histori të dhimbshme, persona që kanë vuajtur nga trauma seksuale të pashëruara, nga mungesa e dijes për trupin e tyre, nga ndjenja faji për ndjesi natyrore, apo nga pasiguria për të komunikuar dëshirat dhe kufijtë në marrëdhënie intime.

Një pjesë e madhe e problemeve në jetën seksuale të të rriturve rrënjët i ka në mungesën e edukimit dhe në kulturën e mohimtë që i është imponuar seksualitetit që në fëmijëri. Prandaj, shërimi nuk është vetëm individual, por kërkon një transformim të gjithë shoqërisë, për të pranuar se seksualiteti është pjesë e natyrshme e qenies njerëzore dhe se heshtja nuk është mbrojtje, por burim i traumës.

Roli i prindërve, shkollës dhe profesionistëve

Edukimi seksual nuk fillon në adoleshencë, as në internet, por në familje. Prindërit duhet të ndihen të aftë për të komunikuar hapur me fëmijët e tyre që në moshë të hershme, duke i ndihmuar të kuptojnë trupin e tyre me emrat e duhur, pa turp apo frikë. Shkollat, në anën tjetër, duhet të përfshijnë edukimin seksual në kurrikulë, duke bashkëpunuar me profesionistë të shëndetit, psikologë dhe terapistë.

Nga ana tjetër, media duhet të jetë partnere në informimin e publikut dhe jo të kontribuojë në banalizimin e temës. Përkundrazi, duhet të hapë diskutime të thella dhe të ofrojë platforma për edukim dhe vetëdijesim.

Drejt një seksualiteti të shëndetshëm dhe të lirë nga paragjykimet

Ne duhet të punojmë për një shoqëri ku çdo individ, pavarësisht gjinisë, moshës, orientimit seksual apo identitetit gjinor, të ndjehet i lirë dhe i sigurt në trupin e tij. Kjo nuk është thjesht një çështje personale, është një çështje shëndeti publik, një çështje e të drejtave njerëzore dhe një tregues i nivelit të emancipimit të shoqërisë sonë.

Prandaj, le të fillojmë nga dija, nga hapja, nga komunikimi. Le ta përqafojmë seksualitetin si pjesë të qenies sonë dhe të mësojmë ta trajtojmë me dinjitet, profesionalizëm dhe ndjeshmëri.