12:03 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

Sektori i bujqësisë me potencial për rritje të eksporteve në Kosovë

Oda Ekonomike e Kosovës  në bashkëpunim me GIZ, në kuadër të projektit Fondi Rajonal i Hapur – Tregtia e Jashtme,  kanë realizuar një studim në nivel rajonal mbi gatishmërinë për eksport të sektorit të bujqësisë, respektivisht sektorit të pemëve dhe perimeve. Në nivel rajonal anketimi ka përfshirë 146 kompani, prej të cilave 43 ishin nga Kosova, 36 nga Serbia, 21 nga Bosnja dhe Hercegovina, 19 nga Maqedonia, 15 nga Shqipëria dhe 12 nga Mali i Zi.

Kompanitë kosovare të këtij sektori ndër barrierat kryesore në tregun vendor kanë përmendur vështirësitë në gjetjen e distributorëve (49%), certifikimet e sigurisë ushqimore (37%), treg i vogël për produktet ushqimore (33%), vështirësi në qasjen në financa (26%), kostoja e lartë e lëndës së parë (23%) dhe gjetja e stafit të përgatitur mirë për shitje (23%). Megjithatë, në nivel kombëtar, sipas kompanive respondente, zhvillimi i këtyre kompanive ka qenë i kënaqshëm (49%) konform kushteve dhe ambientit binzesor në vend.

Arsyet kryesore për mos zhvillim të pjesës tjetër të kompanive janë përmendur të jenë  produktet e shumta nga tregjet e huaja, ekonomia informale, klientët nuk paguajnë me kohë; mungesa e fuqisë punëtore; konkurrenca nga jashtë/importi; mungesa e tregut, monopolet e krijuara nga politika; çmime të ulta të konkurrencës; investimet e kufizuara në teknologji të re dhe në stafin profesional, etj.

Tutje, mbi gjysma e kompanive të anketuara kanë deklaruar që mund të eksportojnë me kapacitetet aktuale, ndërsa për rreth 9% të kompanive pjesëmarrëse në studim përfshirja në eksport do të kërkonte investime të shumta dhe të papërballueshme për ta. Rreth 21% e kompanive nuk kanë informatën e duhur se çfarë u nevojitet për të eksportuar produktet e tyre. Mungesa e laboratoreve të akredituara në Kosovë mbetet sfidë për mbi 20% të kompanive të këtij sektori, duke rritur kështu koston e prodhimit dhe duke ndikuar në rritjen e çmimit final të produkteve tona, si rrjedhojë edhe aftësia konkurruese e çmimeve mbetet më e vogël. Rreth 19% e kompanive kanë deklaruar të mos posedojnë aktualisht asnjë certifikim ndërkombëtar, ndërsa një pjesë e madhe e tyre posedojnë Global GAP, dhe HACCP.

Sidoqoftë, nga 35% e kompanive që eksportojnë rregullisht destinacion kryesor i eksporteve janë vendet e rajonit/CEFTA, Gjermani, Holandë, Zvicër, Itali, Francë, Bullgari, etj.  42% e kompanive që aktualisht nuk eksportojnë kanë provuar të qasen në tregjet e huaja, por pa pasur sukses. Arsye e dështimit mbeten barrierat jotarifore dhe politike, mungesa e qasjes në informata në vendin e destinacionit, taksat e larta, mos përmbushja e marrëveshjeve, konkurrenca e padrejtë, etj.

Në nivel rajonal (krahasuar me vendet e Ballkanit Perendimor), pothuajse të gjitha kompanitë bëjnë analiza të brendshme ose posedojnë certifikime;

• 78% e kompanive të të gjithë rajonit konsiderojnë produktet e tyre të jenë në përputhje me rregulloret e BE-së dhe standardet e sigurisë, përveç shkallës së ulët në Kosovë dhe Mal të Zi.

• 51% e kompanive kanë HACCP (Maqedoni 95%, Kosovë 23%); 23% Global GAP; 15% nuk kanë certifikim (19% në Kosovë)

• 34% provuan tregjet e reja të eksportit pa sukses; arsyet kryesore: kushtet e pagesës, mungesa e mbështetjes shtetërore, konkurrenca e pandershme;

• Pengesat kryesore: konkurrenca në çmim (44%), aksesi në rrjetet e shitjes (40%), qasja në financa (38%).