Sektori minerar prioritet strategjik, Kusari konfirmon mbështetjen e Kanadasë dhe SHBA-së
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se qeveria e Kosovës po punon në forcimin e bashkëpunimit me kompani dhe agjenci nga Kanadaja dhe SHBA-ja, për të zhvilluar sektorin minerar.
Kusari-Lila, e shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zhvilloi një numër takimesh në Kanada, duke vizituar Shoqatën e Shpikësve dhe Zhvilluesve të Kanadasë, si dhe me Korporatën Komerciale Kanadeze, shkruan IndeksOnline.
“Zhvillimi i sektorit minerar në këtë kohë të ndryshimeve të shpejta gjeopolitike kërkon fokus dhe kritere të qarta të partneritetit me vendet mike dhe demokratike, qëndrueshmëri dhe parime të forta të mbrojtjes mjedisore dhe, mbi të gjitha, siguri të zinxhirit të furnizimit, nga ekstraktimi deri te industria përpunuese” shkroi Kusari-Lila.
Sipas saj, Kosova gëzon mbështetjen e dy grupeve më të mëdha politike në Kanada – Liberalëve dhe Konservatorëve.
“Takimet me bizneset amerikane në këtë ngjarje përbëjnë një shans ideal për thellimin e bashkëpunimit ekonomik me SHBA-në dhe Kanadanë në këtë sektor strategjik për vendin tonë”, shtoi ajo.
Ky është postimi i plotë i saj:
Zhvillimi i sektorit minerar në këtë kohë të ndryshimeve të shpejta gjeopolitike kërkon fokus dhe kritere të qarta të partneritetit me vendet mike dhe demokratike, qëndrueshmëri dhe parime të forta të mbrojtjes mjedisore dhe, mbi të gjitha, siguri të zinxhirit të furnizimit, nga ekstraktimi deri te industria përpunuese.
Prandaj, Qeveria e Kosovës po punon në forcimin e bashkëpunimit dhe partneritetit me agjencitë dhe kompanitë nga Kanadaja dhe SHBA-ja, po e rishikon kornizën legjislative për të shmangur burokracinë dhe vonesat, si dhe po punon aktivisht në zhvillimin e industrive që e përdorin lëndën minerare për prodhime finale.
Pjesëmarrja dhe vizita në Prospectors & Developers Association of Canada Convention (PDAC) na mundësoi takime me përfaqësues të lartë të provincave kanadeze, si Saskatchewan, Alberta dhe New Brunswick, ku industria minerare është shumë e zhvilluar.
Takimet me Canadian Commercial Corporation, me Natural Resources Canada, si dhe me Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Federal, Ahmed Hussen, Sekretarin Parlamentar dhe deputetin liberal Rob Oliphant, si dhe deputetin konservator dhe ministrin në hije Kyle Seeback, janë konfirmim se Kanadaja jo vetëm që e mbështet Kosovën në këtë rrugë zhvillimi, por se Kosova gëzon mbështetjen e dy grupeve më të mëdha politike në Kanada – Liberalëve dhe Konservatorëve.
Takimet me bizneset amerikane në këtë ngjarje përbëjnë një shans ideal për thellimin e bashkëpunimit ekonomik me SHBA-në dhe Kanadanë në këtë sektor strategjik për vendin tonë.

