13:42 / E Diele, 28 Maj 2023 / shkelqim osmanaj

Sekuestrohen 3510 bimë kanabisi në Kurbin, arrestohet një nga pronarët e 31 serave

Një aksion i policisë së Kurbinit, i zhvilluar nga toka dhe ajri në bashkëpunim me GDF-në italiane, ka çuar në sekuestrimin e 3510 bimëve kanabisi, që ishin kultivuar në terrenin malor të fshatit Skuraj.

Policia ka arrestuar Dritan Margjonin si një prej përgjegjësve për kultivimin e kanabisit dhe ka shpallur në kërkim 34-vjeçarin Fation Margjoni.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin organizuan fazën e gjashtë të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”.

Gjatë kontrolleve në fshatin Skuraj, Kurbin, në një zonë të pyllëzuar dhe të vështirë malore, u gjetën dhe u shkatërruan 31 sera të vogla, brenda të cilave ishin të kultivuar 3510 bimë narkotikë cannabis sativa.

Si rezultat i hetimit intensiv proaktiv, është bërë i mundur dokumentimi me prova ligjore i  kësaj veprimtarie kriminale, arrestimi i shtetasit D. M., 44 vjeç, si dhe shpallja në kërkim e shtetasit F. M., 34 vjeç, si dy nga autorët e dyshuar të këtyre tentativave për të kultivuar bimë narkotike. Vijon puna për kapjen e 34-vjeçarit.

Gjithashtu, nga hetimi janë identifikuar dhe autorë të tjerë të kësaj veprimtarie kriminale, të cilëve, për shkak të konfidencialitetit të hetimit, nuk mund t’iu bëjmë me dije të dhëna.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.