Sekuestrohen 9 kilogramë kanabis në Tiranë, në pranga pesë persona

Policia në Tiranë ka zbuluar një magazinë ku fshihej lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, e cila përgatitej për shitje në doza.
Policia bëri të ditur se janë sekuestruar nëntë kilogramë kanabis, sasi kokaine, dy armë zjarri, dy armë të ftohta, dy automjete, gjashtë telefona dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Ndërsa lidhur me rastin, pesë persona u arrestuan, të cilët dyshohet se ishin anëtarë të grupit që kryente këto veprimtari kriminale.
Të arrestuarit, sipas policisë janë: Xh. Z., 25 vjeç, R. K., 21 vjeç, E. Gj., 37 vjeç, A. C., 22 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe, të pestë banues në Tiranë.
Hetimet për identifikimin e të dyshuarve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale po vazhdojnë, derisa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Indeksonline/